Bardheblutë, falë 5 titujve dhe 3 Kupave të fituara janë pozicionuar të 172-ët nga IFFHS
Që Tirana kishte vendosur hegjemoninë e saj në futbollin shqiptar në dhjetë vitet e shkuara, kjo gjë mund të konstatohej lehtësisht nga gjithkush. Sepse e tregojnë më së miri trofetë e fituar, apo rezultatet e bardhebluve në kompeticione të ndryshme, si kombëtare, ashtu dhe ndërkombëtare.
Por ajo që ia ka dhënë certifikatën më kuptimplotë në këtë drejtim, është Instituti Ndërkombëtar i Historisë dhe Statistikave të Futbollit (IFFHS), që i ka pozicionuar 24 herë kampionët e Shqipërisë në vendin e 172 të, mes 643 klubeve të Europës.
Ky vlerësim, i bazuar në fakte, e kurorëzon Tiranën si skuadrën më të mirë shqiptare të dekadës së parë të shekullit të 21 të. Kjo renditje për klubet e kontinentit tonë merr parasysh paraqitjen e secilit në kampionatet respektive kombëtare, por ngërthen edhe performancën në të gjitha kompeticionet ndërkombëtare, gjatë periudhës kohore 2001 2010.
Në bazë të këtyre kritereve, IFFHS ka ndërtuar kësisoj edhe renditjen europiane për klubet. Vlen të theksohet fakti se në këtë klasifikim nuk janë përshirë Andorra, Ishujt Faroe, Lihtenshtejni, San Marino dhe Mali i Zi, për disa arsye. Në “Top 100″ janë përfshirë klube nga 24 vende.
Në “Top 100″ janë përfaqësuar klubet më të madhe europiane, sikurse janë ato nga Spanja (12), Anglia (12), Italia (10), Franca (10), Gjermania (7), Holanda (6), Portugalia (4), Greqia (4), Turqia (4), Rusia (4).
Në bazë të arritjeve të Tiranës gjatë 10 vjeçarit të parë të shekullit të 21 të, bardheblutë janë pozicionuar në vendin e 172-të në Europë, teksa janë kuotuar me 586,5 pikë. Krahas kësaj pozite të kënaqshme në rang kontinenti, Tirana është konfirmuar edhe si klubi më i mirë shqiptar i dekadës së fundit.
Në 10 vitet e shkuara, në harkun kohor 2001 2010, së cilës i referohet edhe IFFHS, Tirana, 24 herë kampionia e Shqipërisë, ka fituar 5 tituj kampioni kombëtar (në sezonet 2002 2003, 2003 2004, 2004 2005, 2006 2007, 2008 2009), por edhe 3 Kupa të Shqipërisë (në edicionet e saj, 2000-2001, 2001-2002, 2005-2006).
Nëse shikon renditjen përkatëse të përftuar nga IFFHS, konstaton jo pa kënaqësi se Tirana ka arritur të lërë pas në këtë klasifikim klube të njohura, si anglezët e Portsmuthit (176), kroatët e Varteksit (183), hungarezët e Ferencvaroshit (193), Aris të Selanikit (197) austriakët e Gracit (200).
Përveç Tiranës, në këtë klasifikim janë pasqyruar edhe 8 klubet e tjera shqiptare. Pas bardhebluve, skuadra e dytë më e mirë jona është Vllaznia (me 1 titull kampion, 2000 2001, dhe një Kupë të Shqipërisë, 2007-2008). Skuadra shkodrane është pozicionuar në vendin e 264 t, me 455,5 pikë.
Pas kuqebluve vjen Dinamo (me 3 tituj kampionë, në sezonet 2001-2002, 2007-2008, 2009-2010, dhe një Kupë të Shqipërisë, në edicionin 2002-2003), me 447,5 që pozicionohet në vendin e 272 të.
Teuta e Durrësit është renditur e 346-ta (me 363,0 pikë), Partizani i 422 ti (me 292,5 pikë), Besa e Kavajës e 424 ta (me 291,5 pikë), Shkumbini i Peqinit i 426 ti (me 290,5 pikë), Elbasani i 441 ti (me 276,5 pikë), për t’u mbyllur nga Flamurtari i Vlorës, i 527 ti (me 222,0 pikë).
Ndërkohë, klasifikimin e klubeve në dekadën e parë të shekullit të 21 të e kryeson Barcelona, me 2.550,0 pikë). Në “Top 10″ bëjnë pjesë Mançester Junajtid, Liverpuli, Arsenali, Interi, Bajern Mynih, Milan, Real Madrid, Çelsi dhe Roma.
Lila: Kualifikimin e arrijmë në Ballsh
Sot, Tirana do të luajë në stadiumin “Adush Muça” ndeshjen e parë të turit të tretë të Kupës së Shqipërisë. Kapiteni Andi Lila është i bindur se kualifikimi do të arrihet që në Ballsh. “Sigurisht që edhe Kupa është një tjetër objektiv yni. Në kampionat nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i marrim ndeshjet një e nga një për të marrë maksimumin e pikëve.
Kupa aktualisht është një prioritet i Tiranës. Ka konkurrencë dhe i respektojmë të gjithë kundërshtarët, por Tirana nuk ka frikë asnjë prej tyre,” - pohoi fillimisht Andi Lila, i cili sqaron edhe për tensionin që ka mbërthyer bardheblutë javët e fundit.
“Vërtet ka pasur tension, madje dhe unë kam marrë kartonë, por ajo është mënyra që luaj në fushën e lojës. Unë i vlerësoj të gjithë kundërshtarët në fushën e lojës. Pastaj loja e fortë dhe me grintë është edhe një karakteristikë e skuadrës së Tiranës ndër vite.
Në fund të fjalës së tij, Andi Lila i bën një krahasim edhe punës së ish-trajnerit Dede i shkarkuar pas ndeshjes me Besën dhe Krstiçeviçit. “Nuk dua të bëj diferenca, por Dede ka punuar shumë për aq kohë sa kemi qenë bashkë. Mendoj se trajneri i ri që ka ardhur po punon shumë dhe ka një projekt afatgjatë, madje do të synojmë të ecim sa më gjatë në Kupat e Europës.”
0 comments:
Post a Comment