TIRANË- Kupa “e vogël” europiane, Europa League, njohu mbrëmë të gjitha ekipet që do të kualifikohen për në fazën e 1/8-ave, pasi ka njohur dy skuadrat e para.
Liverpuli, PSV Eindhoveni, Spartaku i Moskës dhe Gllasgou Rejnxhërs i bashkohen Portos, CSKA-së së Moskës, Zenitit e Leverkusenit mes 16 skuadrave më të mira në Ligën e Evropës.
Liverpulit i mjaftoi goli i holandezit Dirk Kajt katër minuta nga fundi i kohësh së rregullt për të mundur 1-0 Spartën e Pragës në “Anfield”, duke siguruar kualifikimin pas barazimit pa gola në ndeshjen e parë.
Ndeshja e kthimit në shtëpi rezultoi vendimtare edhe për PSV Eindhovenin. Skuadra holandeze triumfoi në shifrat 3-1 kundër francezëve të Lilës, duke siguruar biletën për në fazën tjetër pas barazimit 2-2 në takimin e parë. Kundërshtari i radhës për PSV-në është Gllasgou Rejnxhërs, që eliminoi Sportingun e Lisbonës (1-1 në shtëpi, 2-2 në transfertë).
Spartaku i Moskës mjaftohet me një barazim 1-1 në fushën e vet kundër Bazelit, duke kaluar fazën falë suksesit 2-3 në transfertë javën që shkoi. Ajaksi do të jetë kundërshtari i rusëve në 8-she.
Pasi siguroi me lehtësi kualifikimin (0-4 dhe 2-0 ndaj Metalist Kharkivit), Bajer Leverkuseni pret Vilarealin në fazën tjetër.
Zeniti arriti suksesin në pjesën e dytë kundër Jang Bojs në shtëpi, duke triumfuar 3-1. Sfida e parë, e luajtur në Zvicër, pati përfunduar 2-1 në favor të vendasve. Skuadra e Spaletit tani pret Tuenten, në raundin tjetër.
Gjithçka e thjeshtë edhe në takimin e dytë për Dinamon e Kievit. Ukrainasit shpartalluan 4-0 Beshiktashin, pasi patën bërë të njëjtën gjë edhe në transfertë: 4-1. Skuadrën e Shevçenkos e pret një kundërshtar i vështirë në 8-she: Mançester Siti. Këta të fundit eliminuan Arisin e Selanikut, pas fitores 3-0 në shtëpi (0-0 takimi i parë).
Paris SG-Benfika është një tjetër duel që do të luhet më 10 mars. Ekipit francez i mjaftoi barazimi pa gola kundër bjellorusëve të BATE Borisovit në Francë, duke siguruar biletën e kualifikimit falë barazimit 2-2 në fushë kundërshtare. Kurse Benfika triumfoi 2-0 në fushën e Shtutgartit, pasi e kishte fituar edhe takimin e parë 2-1.
Tuente është kundërshtari i Zenitit në fazën e radhës në Ligën e Evropës. Ekipi nga Holanda barazoi 2-2 në shtëpi përballë Rubin Kazanit dhe u kualifikua pas triumfit 2-0 në transfertën e javës së shkuar. Nga ana tjetër, Zeniti eliminoi zviceranët e Jang Bojs (1-2 dhe 3-1).
Vilarreali arriti me vështirësi kualifikimin përballë Napolit. Sfida e kthimit në Spanjë përfundoi 2-1 për vendasit, të cilët vijojnë më tej pas barazimit pa gola në transfertë. Kundërshtari i radhës për “Nëndetësen e verdhë” është Bajer Leverkuseni, që eliminoi pa vështirësi Metalist Kharkivin (0-4 dhe 2-0).
Të martën, Porto eliminoi Seviljen (1-2 dhe 0-1), kurse CSKA-ja e Moskës siguroi kualifikimin pas fitores 1-0 në transfertë dhe barazimit 1-1 në kthim kundër grekëve të PAOK-ut. Këto dy skuadra gjejnë njëra-tjetrën në 8-she.
- Liga e Evropës, 1/16-at:
CSKA Moska 1 - 1 PAOK (1-0)
Porto 0 - 1 Sevilja (2-1)
Liverpul 1 - 0 Sparta Praga (0-0)
PSV Eindhoven 3 - 1 Lilë (2-2)
Spartak Moska 1 - 1 Bazel (3-2)
Sporting Lisbonë 2 - 2 Gllasgou Rejnxhërs (1-1)
Zenit St.Peterburg 3 - 1 Jang Bojs Bernë (1-2)
Bajer Leverkusen 2 - 0 Metalist Kharkiv (4-0)
Ajaks 2 - 0 Anderleht (3-0)
Braga 2 - 0 Leh Pozhnan (0-1)
Dinamo Kiev 4 - 0 Beshiktash (4-1)
Mançester Siti 3 - 0 Aris Selanik (0-0)
Paris SG 0 - 0 BATE Borisov (2-2)
Tuente 2 - 2 Rubin Kazan (2-0)
Shtutgart 0 - 2 Benfika (1-2)
Vijarreal 2 - 1 Napoli (0-0)
Në këtë mënyrë formohen tetë çiftet që do të përballen mes tyre në fazën e 1/8-ave, nga ku do të dalin ekipet çerekfinaliste. Ndeshjet e para do të luhen më 10 mars, kurse ato të kthimit një javë më pas.
- Faza e 1/8-ave (10-17 mars 2011):
Benfika - Paris SG
Dinamo Kiev - Mançester Siti
Tuente - Zenit St.Petërburg
CSKA Moska - Porto
PSV Eindhoven - Gllasgou Rejnxhërs
Bajer Leverkusen - Vijarreal
Ajaks - Spartak Moska
Liverpul - Braga.
0 comments:
Post a Comment