Ads 468x60px

Saturday, February 26, 2011

Kuzhe do fjalën e fundit nga Skela dhe Lala



Do të jenë Ervin Skela dhe Altin Lala pjesë e përfaqësueses shqiptare edhe në të ardhmen? Kjo pyetje, në fakt, më shumë se tifozët kuqezinj, mundon trajnerin Josip Kuzhe. Dy veteranët Skela dhe Lala, përkatësisht 34 dhe 35 vjeç, po jetojnë muajt e fundit si kuqezinj. I pari aktualisht është pjesë e Germania Uindek në kategorinë e 5-të gjermane, ndërsa i dyti lojtar i Hanoverit deri në qershor (në rast se nuk do ta zgjatë një vit tjetër kontratën).

Ndeshja e fundit miqësore me Slloveninë në Tiranë, ku Shqipëria u mund 1-0, tregoi edhe një herë se ka ardhur momenti i pashmangshëm i rinovimit të skuadrës, pavarësisht faktit që mungojnë prurjet e reja cilësore për të zëvendësuar më të vjetrit. Për këtë, me sa duket, është bindur plotësisht edhe Kuzhe, i cili ka planifikuar një udhëtim këtë fundjavë drejt Gjermanisë, për t’u takuar me dy futbollistët e sipërpërmendur. Kroati kërkon të sqarojë përfundimisht pozicionin e Skelës dhe Lalës në kombëtare, për të krijuar një ide sa më të qartë për formacionin që do të hedhë në fushë në ndeshjen e radhës me Bjellorusinë dhe në takimet e mbetura, që përfundojnë në muajin tetor. “Ervin Skela vijon të jetë pjesë e rëndësishme e kombëtares, madje do ta grumbulloj për takimin me Bjellorusinë, që luhet më 26 mars,” - do të deklaronte kroati në prag të miqësores me Slloveninë. Por faktet tregojnë që edhe në kategorinë e pestë Skela ende nuk e ka bërë debutimin, çka do të thotë se është shumë larg formës fizike për të përballuar ritmin e lojës me kombëtaren.

Pikërisht në takimin kokë më kokë me fantazistin 34-vjeçar kroati do të marrë vendimin për t’i besuar ose jo një rol vendimtar Skelës në ndeshjet e mbetura eliminatore. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Altin Lalën. Ndonëse në ndeshjen e fundit të Hanoverit 35-vjeçari Lala është aktivizuar më shumë se 20 mininuta, ndaj sllovenëve në “Qemal Stafa” tregoi që nuk mund të jetë më Altini i kohëve të arta. Pikëpyetja e madhe e Lalës, që i intereson shumë edhe Kuzhes, është tërheqja e mundshme nga futbolli në fund të sezonit.

Nëse Lala do të vendosë t’i varë këpucët në gozhdë, Bjellorusia (26 mars) dhe Bosnja (4 qershor) do të ishin mundësitë e tij të fundit për të veshur fanellën kuqezi. Sa i përket Skelës, nëse nuk gjen skuadër të niveleve të larta gjatë merkatos së verës, duhet t’i thotë lamtumirë kombëtares. 73 ndeshja ka zhvilluar Lala me kombëtaren

Mesfushori Altin Lala dhe ish-portieri i kombëtares Foto Strakosha mbajnë rekordin e ndeshjeve të zhvilluara me përfaqësuesen shqiptare. Statistikat tregojnë se të dy kanë zhvilluar 73 ndeshje me bluzën kuqezi. Altin Lala ka shënuar 3 gola gjatë karrierës së tij me kombëtaren. 11 gola ka shënuar Skela si kuqezi Ervin Skela është shumë pranë rekordit të ndeshjeve me kombëtaren. Në bazë të statistikave, ai ka luajtur 72 takime me kombëtaren, ku ka shënuar 11 gola. Vetëm Bogdani (13 gola) dhe Alban Bushi (mban rekordin me 14 gola) kanë shënuar më shumë fantazisti 34-vjeçar.

0 comments:

Post a Comment